Dhënia e bamirësisë në Kroaci u rrit ndjeshëm në vitin 2019. Një nga treguesit kryesorë nga Raporti Vjetor i Dhurimit në Kroaci i përgatitur nga Fondacioni Catalyst Balkans ishte se rreth 20,2 milion Euro u dhuruan për qëllime bamirësie, e cila paraqet një rritje prej 125% në krahasim me dhurimin në vitin 2018.

Katër temat kryesore të mbështetura (shëndetësia, lehtësimi i varfërisë, mbështetja e grupeve të margjinalizuara dhe arsimi) morën 82.9% të të gjitha donacioneve. Gjithashtu, ka pasur një rritje prej 10% në aktivitetin e donatorëve nëse e krahasojmë me vitin 2018, me 2,887 akte bamirësie të regjistruara.

Këto janë vetëm disa nga të dhënat e paraqitura në webinar-in Kroacia Dhuron 2019 që u mbajt më 26 nëntor. Pjesëmarrësit e webinar-it - përfaqësues të Fondacionit Catalyst Balkans, Fondacioni Solidarna, Fondacioni i Komunitetit Slagalica, CERANEO dhe Këshilli Kroat i Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm - diskutuan gjendjen e filantropisë në Kroaci në vitin 2019, së bashku me reflektime mbi dhënien e bamirësisë gjatë krizës të shkaktuar nga COVID-19 si dhe parashikimet për vitin 2021.

Prof. Gojko Bezhovan, nga Fakulteti i Drejtësisë dhe Qendra për Zhvillimin e Organizatave Jo-Fitimprurëse - CERANEO krahasoi dhënien e bamirësisë në Kroaci pas tërmetit në Zagreb dhe gjatë krizës COVID-19.

Sipas të dhënave të hulumtimit të Catalyst Balkans 15,325,490 milion Euro u dhuruan për bamirësi në Kroaci që nga fillimi i krizës. Sektori i biznesit kontribuoi me 55,3%, ndërsa 29.5% e shumës totale u dhuruan nga individë. Institucionet qeveritare dhe publike, kryesisht spitalet, ishin përfituesit e 93.9% të akteve bamirëse.

Daria Mateljak nga Këshilli Kroat i Biznesit për Zhvillim të Qëndrueshëm foli rreth arsyeve që kompanitë dhurojnë për shkaqe të caktuara më shumë sesa për disa të tjera. Ajo shprehu shqetësimin e saj për faktin se shumë korporata në Kroaci dhurojnë kryesisht për të përmirësuar imazhin e tyre korporativ. Ajo shtoi se do të ishte më mirë nëse ata do të zgjidhnin shkaqe bazuar në vlerat e korporatave të tyre dhe vuri në dukje se transferimi i njohurive mund të jetë gjithashtu një formë e vlefshme e dhurimit. Përveç kësaj, Mateljak theksoi rëndësinë e transparencës në dhënien e bamirësisë duke thënë se si donatorët ashtu edhe pranuesit e donacioneve duhet të punojnë në rritjen e transparencës.

Sipas hulumtimit "Kroacia Dhuron 2019", kishte një përmirësim të dukshëm të transparencës nga viti i kaluar. Në vitin 2019, 49,8% e të gjitha donacioneve u shënuan si transparente, e cila ishte një rritje prej 19,6% krahasuar me vitin 2018.

Branka Kaselj nga Fondacioni i Komunitetit Slagalica theksoi se duhet të punohet më shumë për krijimin e besimit midis organizatave jofitimprurëse lokale dhe sektorit të biznesit, ndërsa Nathan Koeshall, drejtor i Fondacionit Catalyst Balkans, tha se dhënia e bamirësisë në Kroaci është në drejtimin e duhur.

Në rast se nuk e keni ndjekur webinar-in, por dëshironi të dini më shumë rreth gjendjes së filantropisë dhe bamirësisë në Kroaci në vitin 2019 dhe gjatë krizës COVID-19, ju përsëri mund ta shikoni atë në YouTube, ndërsa të dhënat e plota të hulumtimit mund t'i gjeni në Raportin tonë Vjetor.

Webinar-i Kroacia Dhuron 2019 u organizua nga Fondacioni Solidarna për të Drejtat e Njeriut dhe Solidaritetin, Fondacioni i Komunitetit Slagalica, Shoqata e Gazetarëve Kroatë dhe Fondacioni Catalyst Balkans.